2000 efektivë policie do të jenë në terren në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e ndeshjes së fundit eliminatore të kombëtaresh shqiptare.
Në një intervistë për Tv Klan, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj shprehet se e gjithë trupa policore do të jetë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e eventit sportive, si dhe për festimet që pritet të mbahen pas ndeshjes.
“Janë të angazhuara 2 mijë forca policie. U bëj thirrje qytetarëve që kanë siguruar bileta për këtë ndeshje që përdorimin dhe futja në stadium me lëndë piroteknike dhe sende të tjera të palejuara dhe përdorimi i tyre është një vepër penale”, tha ai.
Interesi i madh i qytetarëve për të ndjekur në stadium këtë ndeshje ka rritur tendencat për të falsifikuar biletat. Për këtë kreu i policisë së Tiranës shprehet se po kryhen hetime intensive.
“Ne jemi duke hetuar për këtë dhe shpresojmë se deri në fund të ditës do të kemi rezultate konkrete për të goditur individë apo grupe që e kryejnë këtë veprimtari kriminale”, u shpreh ai.
Me qëllim menaxhimin e tifo grupeve, por dhe të gjithë sportdashësve që do të jenë të pranishëm në stadium mbrëmjen e sotme, policia ka nisur bllokimin e qarkullimit të automjeteve prej orës 15:00 në 9 segmente rrugore që të çojnë në impiantin “Air Albania”.