3 CEO në 3 ditë! Zëvendësohet shpejt Mira Murati, çfarë ndodhi

Emmett Shear (ish-bossi i Twitch) është vënë në krye të OpenAI. Kështu raportojnë ditën e sotme mediat e huaja. Kjo lëvizje është e papritur për të gjithë, kjo pasi shqiptarja nga Vlora, Mira Murati u zgjodh të Premten pasdite si CEO e përkohshme, fill pas shkarkimit të Sam Altman nga bordi i OpenAI.

Pra, për 3 ditë, udhëheqja e kompanisë ka kaluar në 3 persona të ndryshëm. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, CEO i sapozgjedhur, Shear shkruan se i është besuar posti i një prej kompanive më të rëndësishme në botë, dhe se do bëjë gjithçka për ta fuqizuar.

Ai ka theksuar po ashtu planin e tij me 3 pika për 30 ditët e ardhshme, që nga punësimi i një hetuesi të pavarur për të gjithë procesin e punës në kompani e deri te reformimi i plotë i menaxhimit dhe skuadrës drejtuese për rezultate të frytshme në vijim.

Ndërkohë le të ndalemi pak te Murati. Ajo ka lindur në Vlorë e është rritur në Shqipëri, ndërsa në moshën 16 vjeçare ka emigruar në Kanada, atje ku duket se ka pasur shumë suksese në fushën teknologjike. Para se të merrte timonin e OpenAI përkohësisht, ajo ishte drejtoresha e teknologjisë në këtë kompani të madhe. Sipas mediave të huaja, Murati bashkë me punonjës të tjerë të kësaj kompanie kundërshtuan shkarkimin e CEO-s së parë Altman. Madje dhe investitorë të rëndësishëm të Microsoft kërkuan që Altman të kthehej në kompani si shef ekzekutiv.

Të Dielën mbrëma, duket sikur kërkesat e tyre u morën parasysh, pasi Altman u rikthye në zyrën e tij. Por kjo nuk zgjati shumë. Shumë shpejt, stafit iu bë me dije se një CEO i ri do të merrte drejtimin e kompanisë.

Këto 3 ditë kanë qenë jo të mira për OpenAI, e frika ekziston edhe për Shear, se a do të mundë ai të sigurojë suportin e investitorëve. Ndërkohë, s’është ende e qartë se çfarë ka ndodhur me Mira Muratin. Por ajo ka shkruar në “X” një fjali të vetme: OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e saj!

Të Fundit