Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një person pasi ka prishur qetësinë publike duke vënë muzikë të lartë, pas mesnate, në lokalin e tij në zonën muzeale, si dhe kundërshtoi me forcë punonjësin e Policisë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër në kuadër të kontrolleve të pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, ditën dhe natën, për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023 kanë konstatuar se në lokalin në pronësi të shtetasit M. Sh., në zonën muzeale të qytetit, ishte vënë muzikë e lartë pas mesnate, zhurmë e cila përbënte shqetësim për banorët dhe për turistët.
Menjëherë pas konstatimit, njëri nga punonjësit e Policisë ka ndërhyrë me qëllim ndërprerjen e zhurmës.
Shtetasi M. Sh., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, nuk ka pranuar ta ndalojë muzikën dhe ka kundërshtuar me forcë punonjësin e Policisë, që ai të mos kryente veprimet e mëtejshme procedurale. Ky shtetas u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Policisë për paligjshmëritë e kryera, sqaron policia.