Operacioni “fijet” shtrihet edhe në Tiranë, Policia e Shtetit është duke zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne një aksion për çmontimin e kamerave të sigurisë.
Euronews Albania po ndjek nga afër operacionin në zonën e Alidemit, aty ku po hiqen disa kamera të një personi me precedentë penal.
Sipas burimeve kamerat u çmontuan nga forcat e komisariatit nr. 1 dhe ishin vendosur nga shtetasi me inicialet H.K., i dënuar më parë për vrasje dhe i skeduar nga operacioni “Forca e Ligjit”, ku iu kërkua të vetëdeklarojë pasurinë.
Nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania duket se banesa mbulohej me kamera sigurie në të gjitha anë dhe rrethohej edhe me tel metalik me gjemba.
Aksion në Tiranë vjen disa ditë pas nisjes së operacionit të policisë për të hequr kamerat e vendosura në zona publike dhe që janë nën kontrollin e personave me precedentë penal.
Aktualisht operacioni është zhvilluar në Shkodër, Vlorë, Lushnjë, Fier, Dibër, Korçë, Pogradec, Durrës, Krujë dhe Gjirokastër.