Ish-kreu i shërbimit sekret gjerman arrestohet nën dyshimet për spiunazh dhe tradhti
August Hanning, ish-kreu i shërbimit të jashtëm të inteligjencës gjermane BND, është arrestuar të martën, më 6 tetor, nën dyshimet për spiunazh, tradhti ndaj shtetit dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore.
Hanning, 80 vjeç, drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në vitin 2005. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka marrë për vite me radhë dokumente të klasifikuara nga një ish-bashkëpunëtor i BND-së, i cili gjithashtu është arrestuar. Hetuesit thonë se bëhet fjalë për rreth 2 mijë dokumente, disa prej tyre me informacione shumë sensitive për sigurinë gjermane.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse Hanning ka përdorur këto informacione në aktivitetin e tij privat si konsulent dhe nëse të dhëna sekrete janë përcjellë te një shërbim i huaj inteligjence. Sipas mediave gjermane, nuk bëhet fjalë për Rusinë në rastin kryesor të dyshuar.
Hetimi konsiderohet veçanërisht serioz, pasi Hanning ka qenë në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së Gjermanisë.



