I riu i kërkon ta fusë në punë, Edi Rama: Nuk bëhet me parti, krushqi dhe ryshfet

Në një takim me të rinjtë në Tropojë, Edi Rama është përballur me një të djalë të ri i cili ka mbaruar për infermieri, ka dalë i pari në provimin e licencës, por është i papunë.

 

Ai i kërkon kryeministrit që t’i gjejë një vend pune, por Rama iu përgjigj: “Rekrutimi i infermierëve bëhet përmes portalit. Nuk ka një rrugë tjetër. Ne nuk marrim prej vitesh infermierë për dore që t’i çojmë në punë. Kjo ndodhte më përpara, bëhej me parti, me krushqi, me ryshfet, nuk ndodh më. Kjo ndodh përmes portalit.

Për fat të mirë ne nuk kemi mungesë burimesh njerëzore, megjithëse ka plot vajza e djem që mbarojnë për infermieri dhe ikin në Gjermani. Ne nuk kemi mungesë akoma deri tani, kemi në listë pritje për punë mjaftueshëm ende. Në qoftë se ju jeni regjistruar në portal, keni bërë hapin e parë. Në momentin që do bëhet provimi, do marrësh pikët, pas pikëve do marrësh edhe vendin e punës. Jam i bindur që duke qenë këtu ke më shumë shanse të punosh këtu.

Nëse do ishe në Tiranë, ka më shumë kandidatë për më pak vende, edhe mund të të thoshin je në Tiranë shko puno në Tropojë, ndërkohë që ti je këtu në Tropojë, në qoftë se do marrësh pikët e nevojshme, do punosh në Tropojë dhe kjo gjë do ndodhë sapo të bëhet konkursi, kështu që është punë javësh apo muajsh. Ke bërë shumë punë që je në portal dhe do hysh në punë patjetër”, është shprehur Rama

Të Fundit