“Shqipëria kritikon mungesën e bashkëpunimit të Britanisë së Madhe për kalimet në Kanalin Anglez”.
Ky është titulli i një shkrimi të publikuar së fundmi nga “The Guardian”, ku nënvizohet se “burime qeveritare në Tiranë thanë se përpjekjet e përsëritura për të marrë informacion nga Britania e Madhe për ata që udhëtonin me varkat e vogla kishin dështuar, duke i lënë ata të vepronin në errësirë”.
“Ne kemi bërë gjithçka që na është kërkuar. E vetmja gjë që kemi kërkuar nga miqtë tanë britanikë është të na japin disa informacione për 140,000 shqiptarët që jetojnë në Britani. Vetëm Britania e Madhe ka informacion mbi rrugët”, tha një burim i qeverisë shqiptare për median britanike.
Dan O’Mahoney, komandanti për Forcën Kufitare, tha të hënën se numrat barazoheshin me “1% deri në 2%” të meshkujve shqiptarë të moshës 20 dhe 40 vjeç”.
“Burimet e qeverisë shqiptare shprehën zhgënjimin për mungesën e një bashkëpunimi efektiv, nisur nga shqetësimet për këtë çështje në qeverinë britanike. Tirana ka siguruar oficerët e Forcave Kufitare për të operuar në Dover, siç kërkohet nga Zyra e Brendshme, dhe zyrtarët kanë kontrolluar ata që po fluturonin jashtë Shqipërisë”, thuhet në shkrim.
Media britanike nënvizon se zhgënjimi kryesor në Tiranë është dështimi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të zbatuar një marrëveshje për dëbimet e shpejta të atyre shqiptarëve që mbërrijnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.