“Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin”.
Kështu është shprehur ambasadorja amerikane Yuri Kim gjatë takimit me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Ajo u shpreh se duke qenë se drejtësisa po vepron, ndërkohë gjyqtarët duhet të rezistojnë akoma edhe më shumë presioneve që mund të vijnë nga kriminelët.
“Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u shpreh ambasadorja.
Po ashtu ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre.
Takimi ka zgjatur një orë dhe është zhvilluar në ambientet e SPAK.
Ky është takimi i parë zyrtar që ambasadorja ka zhvilluar me gjyqtarët e kësaj strukture.
Pak ditë më parë ambasadorja Kim, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se është në dijeni të disa përpjekjeve për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, në mënyrë që të mos ketë ndëshkime për më të fuqishmit.