Ardian Kola, i arrestuar sot nga Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit nr.2 në Tiranë, është në fakt një DJ i njohur në Shqipëri. Raportohet se 38 vjeçari është DJ Cherry, dikur pjesë e emisionit të Arian Çanit.
“Ky shtetas më datë 19.06.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin dyshohet se po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit”, njofton Policia.
Ardian Kola ka braktisur mjetin pas ndjekjes policore në Gjirokastër dhe ka mundur të qëndrojë në liri për më shumë se tre muaj, derisa në bashkëpunim me Shërbimet e Tiranës është bërë i mundur identifikimi e më pas prangosja e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, pasi DJ Cherry akuzohet për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.