Gripi i pulave, zv.ministrja: S’ka raste të transmetimit nga konsumi i produkteve

Në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë, Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se deri tani, në Shqipëri kanë rezultuar të prekur nga gripi i shpendëve mbi 358 mijë shpendë.

Sipas zv.ministres Ermira Gjeci, sëmundja tashmë është përhapure dhe në vende të tjera dhe si pasojë miliona shpendë kanë ngordhur.

Gjeci tha se vatrat e gripit të shpendëve në vendin tonë janë fshati Rrashbull në Durrës, në Dibër dhe në Prespën e Vogël në Korçë, ku gjatë ditëve të kaluara janë konstatuar pelikanë të ngordhur.

“Aktualisht zonat në karentine janë: Durrës, perimetri me rreze 10 km ne qarkun Durrës me qendër ne fshatin Rrashbull. Dibër, perimetri me rreze 10 km ne qarkun Diber me qender ne fshatin Rrethkal (rasti pozitiv ne shpend oborri). Korçe, perimetri me rreze 10 km qarkun Korce me qender ne fshatin prespe te vogel(rasti pozitv i pelikanit kaçurrel). Deri tani janë raportuar te ngordhura 358 mijë e 520 shpendë nga të cilat. Vetëm ditën e djeshme janë groposur pothuajs 39 mijë shpendë. Është e rëndësishme të kuptojmë që proceset janë dinamike dhe këto shifra ndryshojnë me orë. Me identifikimin e vatrës së re, sipas planit të kontigjencës dhe legjislacionit në fuqi, do të shtojmë masat”, tha Gjeci.

Zv.ministrja tha edhe se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i kalimit të sëmundjes te njerëzit përmes konsumimit të nënprodukteve të shpendëve, si vezët apo mishi i pulave.

“Dua të sigurojmë konsumatorët se nuk ka asnjë rast nga studimet e bëra qe sëmundja mund te transmetohet nga konsumimi i nënprodukteve të shpendëve. AKU është në terren në secilin subjekt tregtues mishi dhe po kontrollon çdo produkt për të garantuar sigurinë ushqimore”, tha Gjeci.

Të Fundit