Trembëdhjetë gra dhe vajza, humbën jetën në veri të Indisë, pasi ranë në një pus, teksa një pllakë metalike që e mbulonte, u shemb nga pesha e tyre.
Shefi i policisë së Kushinagar, në shtetin e Uttar Pradesh, deklaroi se ngjarja e rëndë u shënua gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes.
Gjatë ceremonisë së martesës, gra dhe vajza të fshatit ishin ulur në pllakën metalike që mbulonte pusin, duke rënë që të gjitha brenda, për shkak të peshës së madhe.
Kryeministri i vendit, Narendra Modi, reagoi në Twitter lidhur me lajmin, duke e cilësuar si ngjarje drithëruese.
Dasmat në Indi janë shpesh masive, ku festimet përfshijnë një numër të madh të ftuarish dhe zgjasin disa ditë. Në vitin 2017, 24 të ftuar në një martesë humbën jetën, kur një mur u shemb, gjatë një stuhie të rënduar në shtetin e Rajasthan.