Disa persona u përleshën në afërsi të rrugës “Mine Peza” vetëm për një fjalë. Njëri prej tyre madje u dërgua në spital për të marrë kurim. Fjala acaruese ka qenë “o spiun”. Sipas një dosjeje që iu tregua Gazetës “SI” detajet e kësaj ngjarjeje u dhanë nga 68 vjeçari S. H i cili jo vetëm që është sharë e ofenduar nga djemtë e një të moshuari tjetër, po gjithashtu ata në një rast e kanë goditur.
Megjithëse çështja është hetuar gjatë nga policia që ka marrë deklaratën në spital të 68 vjeçarit dhe të të moshuarit tjetër, në përfundim çështja u mbyll pa asnjë person nën akuzë.
S. H tregon sipas materialeve që disponon Gazeta “Si” se mbasi ai nuk dilte dot në dritare dhe ballkon mbasi dy të rinj e quanin spiun, ai vendosi të shkojë në shtëpinë e tyre e të flasë me babain e tyre.
“Shkova në banesën e tyre për ta sqaruar këtë debat me djalin e tij“.
I moshuari shton se djali i J.J e quante spiun. Madje në një rast kur e ka vërejtur duke ecur në këmbë e ka pështyrë duke i thënë “prapë këtu ti spiun”.
Nga spitali 68 vjeçari kujton se njëherë i riu e qëlloi me shuplakë në ballë dhe ai humbi ekuilibrin duke rënë përtokë.
“ Dyshoj se kjo ka ndodhur ngaqë një natë dola në ballkon dhe në lagje është një lokal. Po qëndroja aty dhe më vonë erdhi policia. Djali i J.J hodhi sytë nga dritarja dhe foli me zë të lartë- o spiun pse shikon në dritare?”. I moshuari që ankohet se nuk ka asnjë konflikt me familjen në fjalë, as komunikim ndihet i çuditur se përse e quajnë spiun, sa kohë ai nuk e ka telefonuar asnjëherë policinë dhe as që ka punuar ndonjëherë në shërbim sekret.
Në dosje vërehet se autoritetet kanë pyetur edhe të moshuarin tjetër J.J që këmbëngul se djemtë e tij janë të edukuar dhe nuk kryejnë veprime të tilla. I biri që dyshohet se e qëlloi me shuplakë 68 vjecarin kujton: “Ai po kalonte në rrugë dhe nisi të bërtasë për zhurmën e lokalit. Ju afrova dhe befas u rrëzua përtokë. E kam çuar unë në spital me makinë. Fjalën spiun nuk ja kam thënë ndonjëherë se nuk e kam idenë cdo të thotë”.
Në mbyllje të hetimeve prokurori i çështjes Bledar Valikaj vëren se mbas këtyre dëshmive të mbledhura nga policia i moshuari i dëmtuar nuk ka kryer ankesë, as kallëzim. “ Ai nuk ka pranuar të shkojë për ekspertizë mjeko ligjore për të kuptuar shkallën e dëmit, gjithashtu shtetasi S.H ka deklaruar se heq dorë nga deklarimet që ka thënë në spital”.
“Në këto kushte ku ndodhemi shkruan prokurori dhe para këtyre rrethanave dhe kur konstatohet se nuk ndodhemi para një vepre tjetër penale ky procedim duhet të pushohet” .
Gazeta “Si” ka raportuar edhe herë të tjera grindje që kanë nisur nga akuza “spiun” , dhe e gjitha kjo lidhet me të kaluarën gjatë komunizmit dhe ngjyrimin negativ që vijon të ketë ende kjo fjalë./ GazetaSI