Kuvendi i 11 dhjetorit i thirrur nga Sali Berisha, do të mblidhet në stadiumin “Air Albania”. Kështu deklaroi deputeti demokrat, Belind Këlliçi gjatë një intervistë për Euronews Albania, ku theksoi se demokratët që pritet të mblidhen atë ditë mund të përballohen vetëm nga stadiumi kombëtar.
“Pallati i Kongreseve ka 2800 karrige, aktualisht shifra e delegatëve që kanë firmosur janë mbi 5070. Kështu që vendi më i përshtatshëm është gjykuar që të jetë stadiumi ‘Air Albania’”, tha Këlliçi.
Ai shpjegoi disa nga detajet e organizimit dhe se si do të identifikohen delegatët e Kuvendit.
Përmes një barkodi, një mandati që e kanë në bazë të funksionit. Në mandatin që do të kenë të varur në qafë, ata do të kenë dhe funksionin. Do të ketë një tribunë të veçantë, ku do të jenë të vendosur të gjithë delegatët dhe do jetë e hapur për mediet. Çdo mandat do të jetë i pajisur me një barkod, i cili do të regjistrohet automatikisht dhe në atë moment në një monitor të madh në stadium, ne do të kemi mundësi të shohim edhe pjesëmarrjen, e cila do të tregohet në kohë reale”, shpjegoi Këlliçi.
Ai tregoi edhe disa nga ndryshimet e statutit që do të votohen në 11 dhjetor.
“Dorëheqjen, ose largimin automatik të kujtdo kryetari që humbet zgjedhjet e përgjithshme. Do të jetë futja e primareve. Zgjedhja me primare e kryetarëve të degëve, kandidatëve për deputetë, për kryetarëve dhe e delegatëve, sepse ne do të kërkojmë që mos të kemi më një Kuvend me 7600 delegatë”, tha ai.
Belind Këlliçi foli edhe për mundësinë e kandidimit për kreun e partisë në një të ardhme të afërt.
“Unë si një politikan i ri, nuk do t’ju thosha që nuk kam ambicie, do isha duke iu gënjyer ose do isha në vendin e gabuar. Nuk mundet të ketë politikanë që mos të ketë ambicie”, u shpreh Këlliçi.