Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë ka reaguar zyrtarisht për helmimin e banorëve nga uji i pijshëm.
Në një njoftim për mediat , prokuroria thotë se në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.
Gjithashtu është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje si dhe gjetjen e personave përgjegjës.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit, në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.
Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës.
Për këtë qëllim, është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.