Lideri historik demokrat, Sali Berisha, deklaroi në Foltoren e Durrësit, se kërkon ndjesë për shkak se nuk ishte i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në PD.
“Në këto zhvillime dramatike për shqiptarët, pjesën e pamohueshme e ka opozita, e cila në këto vite nuk arriti të organizojë aksione dhe veprime, por dështoi pothuajse në çdo nismë të ndërmarrë nga viti 2013 gjer më sot.
Përgjegjësia absolute i përket atij që ishte në timonin e PD-së, por në këtë dështim, Sali Berisha ka pjesën e tij të pamohueshme, ndaj unë jam këtu për t’u kërkuar ndjesë dhe për të shpjeguar se ku ishte gabimi im, cilat ishin gabimet e mia në këtë ecuri.
Jam përpjekur me gjithë forcën time që të kontribuoj me këshilla, sikundër jeni dëshmitarë se kam qëndruar nga mëngjesi deri në darkë, çdo ditë kundër rekordeve të zeza të qeverisë aktuale të Edi Ramës, kam mbrojtur interesat e demokratëve dhe të shqiptarëve, kam mbrojtur interesin kombëtar.
Gabimi im qëndron se në rast se unë me të vërtetë u tregova jashtëzakonisht i vëmendshëm në çështjet që rendita më sipër, u tregova i heshtur ndaj zhvillimeve në PD. Ndaj shkelmimit të normave, të parimeve të kësaj partie. Unë vërtet publikisht ngrita zërin kur në një listë të bërë pas mesnate, u ekzekutuan politikisht si në pusi njerëzit që kishin 20 vite kontribute në PD.
Unë i kërkova Lulzim Bashës që të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve të vitit 2017, pasi humbje të atillë nuk kishim njohur as në vitin 1997, por nuk nisa procesin e duhur që ai të merrte të gjithë përgjegjësitë për atë humbje të tmerrshme. Unë nuk mund të futesha pa asnjë projekt dhe kjo më pengonte mua. Por vjen një moment kur gabimet dhe mangësitë nuk të pengojnë më që të ngriheshin në lartësinë e kërkesave dhe pritshmërive dhe të luftoj për një parti më të bashkuar, më të hapur dhe më të fortë, që ecën e sigurt drejt fitores,” tha Berisha.