Aleanca LGBT thotë se një 21-vjeçare transgjinore është dhunuar fizikisht dhe verbalisht në rrugët e Tiranës për shkak të identitetit të saj seksual. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Ambasada Gjermane e cila e konsideron tronditëse këtë sulm, ndërkohë që shton se policia duhet ta zbardhë menjëherë.
‘Me tronditje mësuam për sulmin brutal ndaj një anëtari të komunitetit të LGBTIQ mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sulmi, i cili mesa duket lidhet me identitetin seksual të viktimës, duhet të zbardhet plotësisht dhe menjëherë nga policia dhe organet e drejtësisë.
Ne si Ambasadë Gjermane kundërshtojmë me vendosmëri çdo forme të dhunës verbale dhe fizike, në përgjithësi dhe e drejtuar kjo ndaj pakicave dhe anëtarëve të lëvizjes LGBTIQ. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për barazinë dhe kundër diskriminimit.’- deklaron ambasada gjermane.
Ngjarjen e ka denoncuar në rrjetet sociale, Aleanca LGBT, ku ka publikuar disa foto dhe thotë se një 21-vjeçare transgjinore është dhunuar verbalisht dhe fizikisht nga 10 djem në Tiranë. Kjo sipas LGBT-së është nxitur nga të ashtuquajtur “profesionistë” nëpër studio televizive dhe në rrjetet sociale.