Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin aktet e dhunës gjatë tubimit të zhvilluar në Tiranë. Përmes një apeli zyrtar, policia u kërkon pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar që, sipas saj, po sulmojnë punonjësit e policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
APEL I POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.
Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit.
Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet.



