Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar ditën e sotme për vendimin e Kuvendit teksa ka riorganizuar punën e gazetarëve tek ky institucion.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook”, Meta shkruan se ky akt është i dënueshëm dhe anti demokratik.
Ndër të tjera Presidenti i ka bërë thirrje Kuvendit të tërhiqet nga ky vendim, teksa e ka krahasuar me regjimin e Lukashenkos.
“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.
Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.
Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.”- shkruan Meta