Një ngjarje jo e zakonshme por edhe e rëndë njëkohësisht ka ndodhur në Indi.
Bëhet me dije se një vajzë, e cila pritej të martohej, ka humbur jetën pikërisht në ditën e dasmës, teksa familjarët e kanë zëvendësuar atë me motrën e saj. Nusja, e identifikuar si Surbhi, sipas mediave të huaja ndërroi jetë nga një sulm në zemër ndërsa po shkëmbente kurort e luleve tradicionale me burrin e saj Manjesh Kumar në fillim të ceremonisë së tyre martesore.
Pas gjithë kësaj ngjarjeje në vend që dasma të ndalohej, familjet e nuses dhe dhëndrit gjetën një zgjidhje duke e zëvendësuar nusen me motrën e saj, Nisha.
“Ne nuk dinim çfarë të bënim në këtë situatë. Të dy familjet u ulën së bashku dhe dikush sugjeroi që motra ime e vogël Nisha duhet të martohej me dhëndrin. Familjet diskutuan çështjen dhe të dy ranë dakord, ”tha vëllai i Surbhi, Saurabh, për agjencinë e lajmeve IANS.
Mediat e huaja bëjnë me dije se dasma vazhdoi pa ndërprerje ndërsa trupi i nuses së ndjerë u mbajt në një dhomë tjetër derisa të mbaronin festimet.
“Ishte një situatë e çuditshme ndërsa dasma e motrës sime më të vogël u zhvillua ndërsa trupi i pajetë i motrës sime tjetër ishte shtrirë në një dhomë tjetër,” tha Saurabh për Times of India.
Pas martesës familja e nuses zhvilloi ritet e saj të fundit për të vazhduar më tej me zinë e vajzës së ndjerë.