FAO: Çmimet globale të ushqimit u rritën me ritme të shpejta në maj

Çmimet globale të ushqimit u rritën në maj me ritmin e tyre më të shpejtë mujor pas më shumë se një dekade, edhe pse prodhimi botëror i drithërave është duke shënuar një rekord të ri.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë FAO, indeksi i çmimit të ushqimit arriti vlerën mesatare 127.1 pikë në maj, 4.8 për qind më lart se në prill, dhe 39.7 për qind në nivel më të lartë se në maj 2020.

Rritja e çmimeve ndërkombëtare të vajrave bimorë, sheqerit dhe drithërave ndikoi në rritjen e indeksit, i cili ndjek ndryshimet mujore të çmimeve ndërkombëtare të mallrave ushqimore të tregtuara zakonisht, duke arritur në vlerën e tij më të lartë që nga shtatori 2011.

Indeksi i Çmimeve të Drithërave FAO u rrit 6.0 për qind nga prilli, udhëhequr nga çmimet ndërkombëtare të misrit, ndërsa gruri dhe orizi ruajtën nivele të qëndrueshme. Edhe Indeksi i Çmimit të Sheqerit u rrit, për shkak uljes së rendimentit të prodhimeve në Brazil, edhe pse volume të mëdha eksporti nga India kontribuuan në lehtësimin e rritjes së çmimit.

Për FAO-n, edhe prodhimi i drithërave këtë vit pritet të arrijë në niveli rekordi, në 2 miliardë e 768 milionë tonë, udhëhequr nga parashikimi vjetor me 3.7 për qind në rritjen e prodhimit të misrit.

Bazuar në këto projeksione, konsumi i përgjithshëm i drithërave do të rritet së bashku me popullsinë botërore, ndërsa parashikohet gjithashtu një rritje e përdorimit të grurit për ushqimin e kafshëve.

 

Të Fundit