E Hënë, 23 Nëntor 2026
Lajm i fundit
“Nëse tentojnë të më arrestojnë, futem në grevë urie”, Vuçiç: Një milion njerëz do dalin në rrugë Zbulohet “laboratori” nëntokësor i kanabisit në Shkodër, arrestohen 10 persona! Zbulohen 2600 bimë dhe 170 kg drogë e përpunuar Çfarë fshihet poshtë? Zbulohen tunele sekrete nën monumentin 1500-vjeçar Infermierët dhe mjekët e rinj, direkt në Provimin e Shtetit, pas praktikës! Kumbaro e Spahiu takojnë studentët: Do të vijojmë lehtësimin e procedurave Moti i keq, shembet çatia e spitalit të Pukës, bie mbi ambulancën Do të dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara, Spahiu: Mbështetje edhe për prindërit kujdestarë Platforma ‘Fol me Kryeministrin’, 1.912 qytetarë shprehin shqetësimet e sugjerimet! Kryesojnë denoncimet, problemet me legalizimet e propozimet për politika të reja Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron pretendimet: Shqipëria nuk u përfshi në sulmin me dronë ndaj anijes ruse pranë Libisë Avokati i Veliaj, Ndreca: Nga sot do të jem një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën besoj 15-vjeçarja në hotel me 37-vjeçarin, pas transmetimit të Stop, dy të arrestuar!
Aktualitet

“Albin zbrit me të dyja kamtë n’tokë. Rama s’asht grek as serb”- Pas refuzimit të vaksinave, aktori Çun Lajçi thirrje kryeministrit kosovar: Ne po vdesim për një ilaç

Aktori dhe poeti i njohur Çun Lajçi po lufton me koronavirusin në repartin e kujdesit intensiv të spitalit prej disa ditësh. Në një postim në rrjetet sociale, aktori i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me kërkesën “që të ulet me këmbë në tokë”, pas refuzimit për vaksinat nga Shqipëria.

“Ne po vdesim për një vaksinë”, shprehet aktori nga shtrati i spitalit, teksa bën thirrje që kryeministri i Kosovës të pranojë ofertën e kryeministrit Edi Rama për vaksinat kundër koronavirusit.

“Zbritni n’tokë se n’retë e bardha ecën para jush tri parti që 20-të vjet, por na rruen për lesh, bile ju, që edhe ne iu deshtëm, hapni sytë e mos ecni rrugëve të tyne, se ne po vdesim për nji vaksinë, për nji ilaç!

Rama s’asht grek as serb, sa do miq n’i pastë, as ma i largët se kinezi e AstraZeneku s’asht, po lidhni miqësi t’rea e punoni si dy vllazën, se ne kemi zgjedhje për kryeministra, ju jo, se popull t’jetër s’keni!

Albin zbrit me të dya kamtë n’tokë, se njena s’ka zbritë hala e hapi sytë, se rrugët e malit e t’natës, nuk janë via të drejta, e n’fund mund t’kenë edhe gropa!
Bukën vllaut mos ia refuzo, se sofrat t’nemin, e arat t’i merr egjra.
Shqipëria nderohet tue ia nderua Kryeministrin se je vet Kryeministër e ma mirë se unë e din!”, shkruan Lajçi.

Kujtojmë që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave nga çdo vend, siç e kanë edhe shtetet tjera.

“Duhet ta keni parasysh që Kosova duke qenë që nuk njihet nga jo pak shtete në botë, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej. Orientimi ynë është me shtetet që na kanë njohur andaj edhe e kemi rezervën tonë dhe qëndrimin tonë karshi ofertave të ndryshme të cilat mund të na vinë nga shtetet mosnjohëse”, ka deklaruar disa javë më parë Albin Kurti.

REAGIMI I PLOTE

Vetëm për juve
2
N’luftë isha artist, me pak dhe n’plis, që mundohesha me iu frymëzue me gjenialitetin e Hamzës e bacit Adem, tue u mundua me përcjellë heroizmin e tyne, të ushtarët, që mbetën pa Gjeneralin!
S’isha poet as shkrimtarë, asnjiherë gazetarë, e sot i shtrimë me sisteme infuzionësh n’duer, bahem reporter zori nga dhoma e të prekunve nga covidi!
Shkruej se m’dhembë ajo që shoh tek pacientët që kollitën, nxjerrin kelbaz ngjyrë vishnje e gjëmojnë, e Ai jam edhe unë.
Bukë na binë, e nuk ankohem fare (artistët dikur ishin modest).
Ilaçet vinë me rregull (ato që i ka spitali), por ato të shtrenjtat i blejmë vet, se shteti “s’ka”!
N’fakt unë s’e mbaj mend kur ka pasë, që kur na e sollën lirinë.
Ndoshta pse unë mbaj mend spitalet e Titos, kur kishte pastërti e barna plot, ani pse ishim shqiptarë!
Mbaj mend kur ishte gjallë dr. Ali Sokoli, sepse mora kallje mushknishë, n’provat gjenerale t’nji shfaqje, e shteti dy herë n’ditë vinte n’banesën me qëra dhe m’ipte infuzion e Penicilinë t’500-tve, dhe mushkni t’pjekune, e pra Çun 24 vjeç isha e shqiptarë edhe pa pare!?
Por m’thojshin n’gjuhën e tyne: Artist je, e na duhësh!
“Gati si sot”, që s’pjerdhi kush prej pushtetarve, për t’cilët aq shumë shkrova e recitova!
Për veti e paçin, se thiut s’po mujshe veç kimet me ia krua, se po dinte edhe anash me t’ra!
E unë budalla nisa me shkrua drejt, se nuk durova, e sakicë kambës i rashë!
Nejse, e lash se hina ku t’rrujnë edhe pa brisk!
Po shoh e po shkruej, se zemra po m’dhemb, kur po e shoh filanën tue i ndejt burrit të kryet e tue ushqye si fëmiun. Tue i dhanë me pipëza langje, se ketu t’vjen me vjellë m’u afrue të kroni i dhomës ujë me pi.
Aty kryhet edhe urinimi i plakut se s’mundët pa oksigjen n’WC me shkua, e kush s’e çon.
Ky afër meje, nevojën e madhe e kryen n’krevat, e dhoma kuterbon e mua me vjen me vjellë, e oksigjeni me duhet e nga erë m… s’muj marr frymë, e s’muj ankohem se të smutë jemi e s’kemi faj!
Dhe n’ket gjendje shkruej, se para syshë m’dalin ministrat e pispillosun qe nga Urani, Vitia, Zema e prap Vitia, që na rrejshin se sa shumë kemi ba për shëndetësi!? E ne, nji gotë ujë s’guxojmë me pi, se s’asht Hotel Dukagjini me ndejt pastruesët ditë-natë tue pastrua, as spital evrope me ra n’gjuj e mos mu përly!
Jemi Kosovë që zgjedhim shumë e kurgja s’kemi.
Si për gjynah na e falën nji pako vaksina e gati e përpimë aeroportin me falenderime.
Por vllaun tonë, edhe përkundër gjithë atyne vaksinave për përsonelin shëndetsorë, nji fjalë falendërimi nga pushteti s’e ndëgjova. Por gjetëm fjalë refuzimi, kur vllau (i keq apo i mirë) na ofroi ate që e kishte marrë për vete, e Albini jo i tha Ramës, ne s’kemi, por rusët e kinezët s’i duem! Veç që s’tha si Ramiz Alia: hamë barë e nuk dorëzohemi!
Sa gabim!
Ma e leht deka se vaksina e vllaut!
As nji kontratë, as nji datë, as nji shpresë e ministri me Kryeministrin gjejnë kime n’ve! Zgjedhin vaksina evropiane e Evropa i merr edhe vet nga lloj-lloj tregu!?
Unë i shtrimë them: S’e kanë punën të prodhuesit, por të mendjemadhësia e vetbesimi i tepruem. Tue harrue se kapuçbardhët i don Evropa por jo kokë pamukët!?
Zbritni n’tokë se n’retë e bardha ecën para jush tri parti që 20-të vjet, por na rruen për lesh, bile ju, që edhe ne iu deshtëm, hapni sytë e mos ecni rrugëve të tyne, se ne po vdesim për nji vaksinë, për nji ilaç!
Rama s’asht grek as serb, sa do miq n’i pastë, as ma i largët se kinezi e AstraZeneku s’asht, po lidhni miqësi t’rea e punoni si dy vllazën, se ne kemi zgjedhje për kryeministra, ju jo, se popull t’jetër s’keni!
Albin zbrit me të dya kamtë n’tokë, se njena s’ka zbritë hala e hapi sytë, se rrugët e malit e t’natës, nuk janë via të drejta, e n’fund mund t’kenë edhe gropa!
Bukën vllaut mos ia refuzo, se sofrat t’nemin, e arat t’i merr egjra.
Shqipëria nderohet tue ia nderua Kryeministrin se je vet Kryeministër e ma mirë se unë e din!
M’falni që fola, por shumë po shoh e kjo po m’vret!
Pulmologji, 04.05.2021

Denonco te STOP

Keni një shqetësim që duhet ta dijë opinioni publik?

Na kontaktoni me telefon ose WhatsApp. Ekipi i STOP verifikon çdo sinjalizim dhe del në terren.

↑