Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë që një vaksinë përforcuese do të nevojitet 9-12 muaj, pasi njerëzit fillimisht të jenë vaksinuar kundër COVID-19, tha të enjten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa kohëzgjatja e imunitetit pas vaksinimit është duke u studiuar, vaksinat përforcuese mund të jenë të nevojshme, tha gjatë një takimi të një komisioni të Kongresit David Kessler, zyrtari kryesor shkencor në grupin e punës të krijuar nga Presidenti Joe Biden për reagimin ndaj COVID-19.
“Mendimi i tanishëm është se ata që janë më të prekshëm do të duhet të vaksinohen të parët”, tha zoti Kessler.
Të dhënat fillestare kanë treguar se vaksinat e kompanive Moderna Inc dhe kompanitë partnere Pfizer Inc dhe BioNTech SE ruajnë pjesën më të madhe të efektivitetit të tyre për të paktën gjashtë muaj.
Shtetet e Bashkuara po ndjekin rastet e infektimit të njerëzve që janë vaksinuar plotësisht, tha Rochelle Walensky, drejtore e Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, në seancën dëgjimore të një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.
Nga 77 milionë njerëz të vaksinuar në Shtetet e Bashkuara, ka patur 5800 infektime të tilla, tha zonja Walensky, përfshirë 396 njerëz që u desh të shtrohen në spital dhe 74 të cilët vdiqën.
Zonja Walensky tha se disa nga këto infeksione kanë ndodhur sepse personi i vaksinuar nuk ka dhënë një përgjigje të fortë imunitare. Por shqetësimi është se në disa raste, ato po ndodhin tek njerëzit e infektuar nga variantet më ngjitëse të virusit./VOA