“Të rikthehet në burg kardiokirurgu Edvin Prifti”, SPAK rekurs në Gjykatën e Lartë

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon rikthimin në burg të mjekut kardiokirurg Edvin Prifti, i arrestuar mbi një muaj më parë pas përgjimeve lidhur me gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha.

SPAK kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që më 2 mars e liroi nga burgu mjekun Prifti duke lënë në fuqi vetëm masën e pezullimit nga detyra.

Mjeku Edvin Prifti u vu nën akuzë pas hetimit për korrupsionin në Gjykatën e Krujës, për të cilin u vu në pranga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, por ku u zbulua edhe një rast korrupsioni në shëndetësi.

Nga përgjimet rezultoi se sekretarja e gjykatës kishte paguar një shumë prej 2 mijë eurosh tek mjeku për të operuar të ëmën.

Nga kontrolli në banesë, mjekut Prifti iu gjet një shumë prej 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë të reja ndërsa më pas masa e arrestit iu komunikua në sallën e gjyqit.

Prifti, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion dhe pastrim parash, ka qenë nën hetim më herët edhe nga Prokuroria e Tiranës pas një kallëzimi ndaj tij nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku mjeku ushtronte detyrën.

 

Të Fundit