“Do përmirësoj gjendjen e pensionistëve, të aktivizohen në probleme shoqërore”, Luljeta Bozo: Takoj njerëz pa fund, më falënderojnë që…

TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë mëngjesin e sotëm një video të kandidates së PS në qarkun e Tiranës Luljeta Bozo, inxhinieres së ndërtimit, zëri i së cilës u bë shumë i njohur pas tërmeteve shkatërruese në vend.

Teksa bën një prezantim të shkurtër, Bozo tregon se për shkak të rezultateve të mira me të cilat është diplomuar në Inxhinieri Ndërtimi e mbajtën në universitet ku punon prej 56 vitesh pa ndërprerje. Sa i përket ambicies së saj si deputete e ardhshme ajo thotë se një prej tyre është përmirësimi i gjendjes së pensionistëve që ata ta ndiejnë veten të dobishëm.

Gjënë më të shtrenjtë kam kohën, se po të iku koha nuk rikuperohet. Në 1965 mbarova studimet në fakultetin e Inxhinierisë, u diplomova inxhiniere ndërtimi, meqënëse isha me rezultate shumë të mira më mbajtën direkt në universitet, kam 56 vjet që punoj pa ndërprerje. Librin e parë e kam nxjerrë në vitin 1975. Në vazhdimësi deri sot kam bërë gati 35 libra të botuar. Çohem shumë herët 4:30-5:00 dhe menjëherë bëj një ecje 5 kilometra, ky është regjimi ditor i ushtarit. Për moshën që kam them që kam akoma për të përmirësuar pak gjendjen e pensionistëve dhe për t’i aktivizuar në disa probleme shoqërore ku ata do ta ndiejnë veten shumë mirë dhe shumë të dobishëm për shoqërinë. Fushën e dytë që kam si prioritet është fusha e kërkimit shkencor, kjo do të jetë e bashkëngjitur me fushën e arsimit të lartë se s’mund të zhvillohet arsimi i lartë pa kërkimin shkencor. Një javë rresht pas tërmetit unë kam qenë në të gjithë televizionet pa asnjë interes se fundja unë nisem nga parimi i famshëm që thotë bëje të mirën hidhe në det nuk të humbet. Njerëzit fitonin një qetësi se më vinin mesazhe pa fund nga Shqipëria, nga Amerika, nga Kanadaja, nga Franca se e ndjekin. Kjo është një gjë shumë e mirë që shqiptarët kudo që janë në botë janë të lidhur me vendin e tyre. Takoj njerëz pa fund, nuk i njoh fare më japin urimet, më japin falënderimet që pranova të kandidoj dhe urimet për t’i përfaqësuar. Në këto urime e falënderime në një vit e gjysmë, shumë shumë herë shprehnin dhe dëshirën që ne duam kështu njerëz që t’i kemi të na përfaqësojnë”, thotë Bozo.

Të Fundit