6 policë të plagosur gjatë protestës/ Reagon Ministri Demo: Dhuna nuk justifikohet, ruani qetësinë

Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar sot, ku gjashtë efektivë mbetën të plagosur.

Përmes një reagimi, Demo u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin aktet e dhunës, duke theksuar se përgjegjësia e të gjithëve në këto momente është ulja e tensioneve.

“E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, shprehet ministri.

Demo u ka uruar shërim të shpejtë efektivëve të plagosur, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tij për ta dhe familjet e tyre.

Ai ka theksuar gjithashtu se Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore dhe duke vepruar në përputhje me ligjin.

Në përfundim të reagimit, ministri ka apeluar për përgjegjshmëri dhe qetësi, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.

Reagimi i plotë:

Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.

U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.

U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve.

Të Fundit