Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” dy mjekët Serdi Memini dhe Ervin Sulaj si dhe infermieren nga Shkodra Diellë Macaj.
Dy mjekët e Spitalit të Traumës u arrestuan për korrupsion, pasi dyshohet se i kanë marrë para shtetasit Fatbardh Dyli, babai i Elmidin Dyli i cili u plagos në ngjarjen e rëndë në Velipojë më 27 qershor, ku u vranë katër persona.
Prokuroria e apelit kërkoi lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër duke thënë se vendimi i shkallës së parë është i drejtë.
Sakaq, gjyqtari i çështjes, Tonin Sterkaj pasi dëgjoi palët vendosi që të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të shkallës së parë duke pranuar kërkesën e prokurorisë së apelit. Seanca nisi që ditën e djeshme por u shty për sot për shkak se prokurorja e apelit kërkoi të njihet më gjatë me aktet e ekspertimit dhe pretendimet e palës mbrojtëse.
Para togave të zeza avokatët mbrojtës paraqitën një raport vlerësimi të performancës së mjekëve gjatë punës së tyre si dhe gatishmërinë për lënien e garancisë pasurore por që nuk u morën parasysh nga gjykata e apelit e cila vendosi lënien në fuqi “arrest me burg”.