Gjykata e Lartë pezullon ndërtimin e HEC-eve në Valbonë

Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e një grupi banorësh të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë dhe disa shoqatave për të pezulluar punën për ndërtimin e të paktën dy hidrocentraleve në Valbonë.

Banorët dhe shoqatat kundërshtojnë projektin për ndërtimin e dy hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy SHPK.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për pezullimin e punës për ndërtimin e këtyre dy HEC-ve vjen pas padisë së paraqitur në vitin 2017 në Gjykatën Administrative.

Vetë Gjykata e Lartë për shkak të largimit të shumë gjyqtarëve nga procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë të nisur në vitin 2016, ishte jashtë funksioni për një kohë të gjatë.

Në bazë të vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë, punimet do të mbeten të pezulluara deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë.

Kontratat koncesionare për shfrytëzimin e potencialit hidro-energjetik në Shqipëri nisën të praktikoheshin prej vitit 2002 kur në pushtet ishte Partia Demokratike dhe deri më sot, Shqipëria ka lidhur mbi 250 kontrata koncesionare.

Të paktën 60 prej këtyre hidrocentraleve rezultojnë se janë planifikuar dhe licencuar për t’u ndërtuar në zona të mbrojtura.

Lumi i Valbonës me burim pranë kufirit me Malin e Zi, përveçse është pjesë e Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës, cilësohet si një nga lumenjtë më të pastër në Shqipëri.

Të Fundit