Tirana e transformuar ne 103-vjetorin e shpalljes Kryeqyteti i Shqipërisë ishte tema e radhës e rubrikës javore të komunikimit me qytetarët të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në videomesazhin e tij, Veliaj uroi të gjithë kryeqytetasit për këtë përvjetor, teksa tha se sot Tirana po kalon ditët e saj më të mira.
“Sa herë vjen 11 shkurti dhe ne festojmë përvjetorin e Tiranës Kryeqytet ndihem jashtëzakonisht krenar, jo vetëm se jam pjesë e këtij kryeqyteti, kam lindur, jam rritur këtu, por se prej gati 8 vitesh, së bashku me një skuadër fantastike, i përkushtohemi çdo ditë, me shumë pasion, zhvillimit dhe transformimit të Tiranës sonë, e cila çdo ditë ka sfida, por çdo ditë sjell mundësi të jashtëzakonshme! Kush nuk do të ndihej kështu, në një kryeqytet si ky i yni, që kemi sot, i cili po kalon ditët më të mira, që nga koha e ekzistencës së tij”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku permendi disa prej arritjeve vetëm gjatë vitit të fundit i cili, sipas tij, ishte një vit historik: “Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe përveç 1000 aktiviteteve rinore, shenjoi plot suksese të tjera, si organizimi i përkryer i finales së Konferencë Ligës me Romën dhe Fejnordin në Tiranë dhe tifozët respektivë, Festivalin Sunny Hill, apo edhe koncerte si ai i Ermal Metës, Dua Lipës dhe Rita Orës e qindra aktivitete të tjera. E mbyllëm vitin me vlerësimin më dinjitoz që kemi marrë ndonjëherë nga ana politike e diplomatike, ku mes shumë qyteteve europiane dhe ballkanike, Tirana u zgjodh mikpritësja e Samitit të BE, i pari Samit që organizohej ndonjëherë në një qytet jashtë Bashkimit Europian, edhe ky qytet ishte Tirana jonë,” u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë theksoi se edhe këtë vit, entuziazmi dhe energjia pozitive vazhdojnë për Tiranën. “Jemi kurorëzuar “Qyteti Europian i Sportit”, ku na presin të tjera suksese historike, jo vetëm për sportin elitar, por edhe për sportin komunitar, për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha aktivitetet sportive për një jetë të shëndetshme”.
Veliaj tha se për të ardhur deri këtu është punuar shumë për të çrrënjosur ditët e zymta të Tiranës kaotike të viteve ‘90. “Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, sidomos pas rënies së komunizmit, fatkeqësisht, Tirana ka pasur ditët e saj të errëta, kur punët nuk i kanë shkuar edhe aq mirë ose i ka ngecur sahati në vend. Këtu kam parasysh ditët e kioskëzimit, ndërtimeve pa leje, zaptimit, rrëmujës, trafikut dhe zhulit. Një Tiranë që askush nuk ndihet krenar kur e kujtojnë dhe po punojmë çdo ditë që t’i harrojmë ato ditë të errëta të Tiranës së tranzicionit,” tha ai.
Veliaj nënvizoi se vetëm pas viteve 2000 u rikthye identiteti dhe shkëlqimi i Tiranës, falë vizionit të Edi Ramës, por kujtoi 4 vitet e paraardhësit të tj që e ndaluan zhvillimin. “E teksa patëm edhe një kohë të përgjumjes në mes, hapat dhe ritmin e tij nuk e kemi ndalur, sapo rikuperuam bashkinë dhe administratën tonë të re në vitin 2015. Kështu që, kemi mundur të vazhdojmë fillin e këputur të vizionit të Edit dhe të fitojmë kohën e humbur në ato 4 vite,” u shpreh ai.
Të gjitha këto, sipas Veliajt, u bënë të mundura falë një trinomi bashkëpunimi mes Bashkisë, Qeverisë dhe qytetarëve: “Ky bashkëpunim është kthyer sot në një formulë suksesi për Tiranën, që kurrë më parë nuk ka qenë më mirë, një sukses që vjen si rezultat i një angazhimi të përbashkët, të përditshëm dhe kaq domethënës mes bashkisë, qytetarëve dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.
Për këtë tha kreu i Bashkisë faktet janë kokëforta dhe janë bazuar në punë dhe vepra konkrete që të gjithë mund t’i prekin dhe t’i shohin përditë