Ministria e Mbrojtjes ka ndarë detaje nga situata e krijuar nga zjarri që përfshiu një kompleks banimi këtë të martë në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, dhjetëra zjarrfikës dhe forca të shumta janë vendosur në terren, ndërsa në ndihmë të situatës janë përfshirë edhe njësitë e bashkive Kamëz dhe Vorë, si dhe Forcat e Armatosura me mjete, efektivë dhe një helikopter.
“Në vijim të situatës së krijuar nga zjarri në një kompleks banimi në kryeqytet, janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe personel në terren. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar si pasojë e zjarrit.
Bashkia Tiranë ka operuar me kapacitete të plota, si në mjete ashtu edhe në personel. Në ndihmë janë bashkuar edhe Bashkia Kamëz me dy mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, si dhe Bashkia Vorë me dy mjete dhe 10 efektivë.
Gjithashtu, Forcat e Armatosura janë angazhuar me katër mjete zjarrfikëse, 26 efektivë dhe një helikopter Cougar. UKT ka mbështetur operacionin me tre autobote uji.
Strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme deri në normalizimin e saj të plotë”, thuhet në reagim.



