Trump kritikon sërish Papa Leon-in: Irani s’mund të ketë bombë bërthamore, dikush t’i thotë Papës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar sërish për Papa Leo XIV, pas një sërë reagimesh të kaluara për këtë çështje.

Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se Irani ka vrarë të paktën 42,000 protestues të paarmatosur gjatë dy muajve të fundit dhe theksoi se është “absolutisht e papranueshme” që vendi të zotërojë armë bërthamore. Komenti erdhi pak para mesnatës së së martës në SHBA.

“A mund t’i thotë dikush Papa Leos se Irani ka vrarë të paktën 42,000 protestues të pafajshëm, plotësisht të paarmatosur, në dy muajt e fundit dhe se është absolutisht e papranueshme që Irani të ketë një bombë bërthamore”, tha Trump në një postim në Truth Social pak para mesnatës së së martës në SHBA.

Trump ka bërë kritika vazhdimisht ndaj Papës edhe të dielën, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj qëndrimeve kritike të kreut të Kishës Katolike ndaj politikave amerikane. Nga ana tjetër, Papa Leo XIV ka bërë thirrje për armëpushim dhe dialog për zgjidhjen e tensioneve me Iranin.

“Nuk kam frikë nga administrata Trump,” deklaroi Papa të hënën para gazetarëve, duke shtuar se do të vazhdojë të flasë kundër luftës dhe në favor të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Të Fundit