“Viktima” e drejtësisë, qytetari nga Vlora përballet me akuzën e trafikut. 29 mars 2018 – Stop
Të Gjitha

“Viktima” e drejtësisë, qytetari nga Vlora përballet me akuzën e trafikut. 29 mars 2018

Elidon Bojko denoncon në emisionin “Stop” akuzën që i është bërë nga drejtësia për trafikim të lëndëve narkotike, ndërkohë që nuk ka lidhje fare.

Në vitin 2012, pranë organeve kompetente ka ardhur një letër – porosi nga Zvicra, në kuadër të një operacioni antitrafik, ku në bazë të hetimeve rezultonte se organizatori i shpërndarjes së drogës njihej me emrin Marko.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e regjistroi procedimin penal më datë 09.02.2012 dhe ia caktoi çështjen prokurorit Gentian Trenovës. Autoritetet zviceriane nuk paraqitën asnjë identikit, por vetëm një numër telefoni zvicerian, i cili rezultonte aktiv në territorin shqiptar.

Deri në vitin 2015, prokuroria nuk mundi të gjente se kush ishte Marko, por më 30.04.2015 pa asnjë provë pretendon që Marko ishte Elidon Bojko.

“Tani, unë o jam Marko, o jam Mondi. S’po e kuptoj ça emri kam!”, shprehet i frustruar i akuzuari.

Ndërsa avokatja e tij, Jalltiz Kastrati thotë se pas kontrollit fizik dhe kontrollit që i është bërë banesës së Elidon Bojkos nuk është gjendur asnjë gjë.

“Këto janë disa pretendime të prokurorisë, që ndoshta mund të jenë të kopjuara nga ndonjë dosje paralele”, shton ajo.

Elidoni thotë se është akuzuar padrejtësisht, pasi nuk ka asnjë provë që të vërtetojë që ai është Marko, por vetëm pretendimi i prokurorisë për një deklaratë të Ali Elbasanit më datë 29.03.2012, që nuk gjendet askund.

“Në qoftë se kam bërë një vepër penale le ta vuaj (dënimin) në Zvicër, 20 vjet, 50 vjet! Po jam unë Marko, po ka një njeri që thotë Elidoni Bojko quhet Marko! Më kanë dhënë arrest me burg me pretendimin sikur shoku im, Ali Elbasani, më datë 29.03.2012, ka thënë që Elidon Bojko është Marko. Më kanë mbajtur 1 vit në paraburgim, derisa mbaruan afatet, kam dhe 1 vit arrest shtëpie. Më datë 12 është marrë vendim në mungesë “arrest me burg” për mua dhe po atë ditë, po Prokuroria e Krimeve të Rënda, i ka dërguar letër – porosi Zvicrës, ku i kërkon t’i dërgohet deklarata e datës 29.03.2012. Si më fut një herë në burg mua ti, e pastaj kërkon provën?!”

I akuzuari për trafik droge rrëfen se prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës 12 vjet burgim për të, çka gjykata e aprovoi pas një shqyrtimi 30 minutësh.

Avokatja e tij këmbëngul që klienti është dënuar nga prokuroria pa asnjë provë, por vetëm me një akuzë të dyshuar.

Elidon Bojko thotë se prokurori Aurel Zarka, sëbashku me kushëririn e tij, që e ka shantazhuar vazhdimisht, i kanë shkuar pranë shtëpisë për ta takuar, çka e provon me audio dhe figurë. Ai tregon se ka qenë ditë e diel, data 12.04.2015, ora 20:00, kur ata i kanë treguar rreth çështjes së Markos, duke nxjerrë në këtë mënyrë sekretin hetimor.

Prokurori i Vlorës, Aurel Zarka – Në qoftë se ty nuk të besojnë nesër – pasnesër që nuk je Marko, u dogje…

Elidon Bojko – Le të vete 11 milionë vite o vëlla, unë kur jam i pastër në vetvete. Dua një letër o vëlla, që ta di për çfarë bëhet fjalë.

Prokurori i Vlorës, Aurel Zarka – S’ka mundësi, s’ka, e di ti atë punë, jo ai.

Elidon Bojko – Po s’di gjë unë ore po të them, s’di për çfarë bëhet fjalë…

Prokurori i Vlorës Aurel Zarka – Përveç atyre, le ta them unë që është, ty të kanë identifikuar njëlloj me Markon, nuk ka tjetër. Në qoftë se ty të gjejnë edhe njëherë që ti je Marko, u dogje. Unë i kam parë ato letrat.

Elidon Bojko – Ore, unë nuk kam lidhje me Markon, ti e kupton?

Prokurori i Vlorës Aurel Zarka – S’i kam bërë unë këto punë, i kanë bërë ata…

Elidon Bojko – Prandaj po të them. Atë thuaj, ruani Markon, atë të bëjnë ata, vetëm kaq dhe do dali kush është Markoja. Nejse ty të faleminderit shumë!

Por ky nuk ishte i vetmi takim mes prokurorit Zarka dhe Elidon Bojkos, pasi takimet kanë qenë të shpeshta. Asokohe Aurel Zarka ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore, i Prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Trenovës, por pse duhej t’ia komunikonte sekretin hetimor të dyshuarit? Ky i fundit shprehet se vetëm në Shqipëri ndodh që të vijë prokurori e të të bëjë shantazh në shtëpi.

Ndaj Elidon Bojko, pas përballjes me akuzën e trafikut të drogës, nisi vetë kalvarin e zbardhjes së të vërtetës.

Gjatë përgjimeve që Prokuroria e Krimeve të Rënda po i bënte numrit zvicerian të Markos, i cili ishte i aktivizuar në Shqipëri, arriti të identifikojë zërin e tij në një bisedë telefonike, madje edhe emrin e vërtetë që e zbuloi vetë gabimisht. Gjatë bisedës me një person për blerjen e një garazhi, Marko prezantohet si Mondi.

Ndërkohë që Elidoni, “Marko” i gjetur nga drejtësia shqiptare, kërkon ekspertizën e zërit të kësaj bisede telefonike. Ai rrëfen se prokuroria i ka sekuestruar të gjitha paratë pa e vënë në dijeni.

“Këta prokurorë i kanë stisur dhe i kanë zbukuruar aq mirë këto letra për të më fundosur mua. Interesi është për të më shkatërruar nga ekonomia, për të më rrëmbyer biznesin familjar shumë vjeçar. Unë mendoj se kjo është arsyeja. Lekët e prindërve të mi dhe të gjithë familjarëve të mi m’i kanë sekuestruar pa më pyetur një herë si e ke emrin, ose ku i ke gjetur”.

Gazetari i emisionit “Stop” thotë se Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Dhoma Penale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nuk mund ta paraqesin këtë provë në gjykatë, pasi në Shqipëri nuk ka asnjë laborator për analizimin e audiove.

Ndaj dhe prova e vetme e kësaj çështjeje iu dërgua një laboratori në Kosovë për të bërë ekspertizën e audios së siguruar nga numri zvicerian i Markos. Një prej ekspertëve tha se zëri është i veçantë për secilin, ashtu si dhe retina e syrit, shenjat e gishtërinjve apo ADN. Ai u shpreh se deri më sot nuk ka patur kërkesa nga Shqipëria për analizë audiosh.

Madje Elidoni për të provuar pafajësinë ka komunikuar me njërin prej 8 të akuzuarve të bandës së trafikut të drogës, e cila organizohej nga Marko.

Elidon Bojko – Ti ke punuar me tjetrin, ma kanë futur mua. Për shembull, këto janë të gjitha përgjimet e të tjerëve, s’janë të miat.

Kush është Sançoja? Unë s’e di fare se kush është Sançoja. Kush janë këta.

Dëshmitari kyç – Unë vetëm Fiorin njof, që ka punuar me mua.

Elidon Bojko – Po mirë mo, Fiori për kë ka punuar?

Dëshmitari kyç – Ky E… Gje… është një çun nga këta, po s’ka punuar me mua.

Elidon Bojko – Mirë, o mirë, po ky për kë ka punuar?

Dëshmitari kyç – Ky një E.. ka punuar me këtë… me… ia harrova emrin.

Elidon Bojko – Tani ky Gj… dreqi R… thuaja emrin, për kë ka punuar?

Dëshmitari kyç – Ky ka punuar për ata të tjerët.

Elidon Bojko – Për Mondin.

Dëshmitari kyç – Ëëë.

Elidon Bojko – Çfarë lidhje kam unë me ty o vëlla?

Dëshmitari kyç – Jo, jo… pfff… ça?

Elidon Bojko – Unë u habita, kur pashë emrin tënd aty. Është ky, s’është ky, ç’ne unë….

Dëshmitari kyç – Po, po fare…

Elidon Bojko – Unë të mbaj vetëm një herë mend, që erdhe njëherë me një vajzë këtu. Qenka barbon ai…

Dëshmitari kyç – E ore, barbona, kështu janë të dy ata dhe ai tjetri.

Elidon Bojko – Këtë s’e njoh…

Dëshmitari kyç – Se ky vetëm me mesazhe punon. Ai tjetri gjen puntorët.., bën.

Elidon Bojko – Kush punon me mesazhe?

Dëshmitari kyç – Ai Dr… ky Mondi.

Elidon Bojko – Mondi punon me mesazhe? Po ai, çfarë bën?

Dëshmitari kyç – Ai vetëm gjen punëtorët, bën…

Elidon Bojko – Gjërat… Për shembull telefonin që ke folur ti me atë, ma kanë futur mua, sikur kemi folur bashkë…

Dëshmitari kyç – Ëëë, s’e kanë kap mesazhet me njëri – tjetrin. Po!

Elidon Bojko – Po s’ka lidhje fare, mo vëlla! Unë s’e dija fare që ke qenë në Zvicër, aty e lexova te letrat. Ja tani e marr vesh që ke qenë në Zvicër.

Dëshmitari kyç – Tani e ke marrë vesh…, po ça do të lidhi ty, ku e di ti …

Elidon Bojko – Ça na morën në qafë o të keqen vëllai…

Dëshmitari kyç – Edhe mund të punojnë, po s’tregojnë më ata. Se unë s’i flas, s’para ashtu. Ça bën mirë, ndonjëherë, kaq që atëherë. Ça do ashtu më… ç’i do? I bën nder, eee gjen qeder. Kur ta fut tjetri për 1000 franga, që s’i ka asgjë.

Elidon Bojko – Po hajde do ta gjejë edhe ai, se shikon Zoti lart.

Dëshmitari kyç – E kam ditur që do ta gjente ndonjë ditë, ai se ia ka fut tërë Vlorës, ia ka fut.

Tashmë mbetet vetëm që “viktima” e drejtësisë ta provojë pafajësinë me provat që ka siguruar vetë.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *