Shqipëria votoi sot për parlamentin e ri, mbyllet zyrtarisht procesi i votimit. Kryeson Dibra, Vlora e fundit.

Të dielën e 25 prillit rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote janë thirrur në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit do të duhet të paraqiten në 5199 Qendra Votimi.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Qarku Kukës është ai që nxjerr më pak deputetë, vetëm 3. Ndërkohë që nga Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë në vend, përftohen 36 mandate ligjvënësish.

Në këto zgjedhje parlamentare, do të garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit do të duhet të votojë për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit do të identifikohet nga një numër e jo emri i tij.

Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë. Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë.

Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi do të jenë të instaluara pajisje elektronike, të cilat do të kryejnë identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili do të mundësojë shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër. Ndërkohë në Zonën Administrative Zgjedhore Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, do të zbatohet projekti pilot për votim dhe numërim elektronik. Votuesit do të votojë në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial.

Zgjedhjet e së dielës kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, që do të jenë të angazhuar në vëzhgimin e tyre. Vëmendja do jetë kudo, por të ashtuquajtura zona të nxehta do tërheqim më shumë syrin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për të cilët standardet e zgjedhjeve mbizotërojnë mbi gjithçka.

Zgjedhjet e 25 Prillit do të zhvillohen në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19. E për këtë çdo votues do të duhet të jetë iu pajisur me mjetet mbrojtëse. Ndërkohë që çdo pjesëtar i Qendrave të Votimit apo edhe ata gjatë numërimit, do duhet të jetë i pajisur me këto mjete mbrojtëse.

As në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk do të mund të votojnë. Votimin e tyre, politika ia la në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ky mbeti vetëm një projekt në letër dhe faji për dështimin mbeti rrugëve.

45.40 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 18:00, në rang vendi

Ora 18:40 Deri në orën 18:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 45.40% në rang vendi. Janë 1920 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 51.42 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

PS thirrje qytetarëve nga selia rozë: Votoni, kjo është dita kur politika hesht dhe populli flet!

ORA 17:55 Përmes zëdhënëses, PS ka apeluar qytetarët të marrin pjesë në votime.
“Kush nuk ka votuar ende, le të përfshihet në proces, të shkojë e të votojë. Ushtroni të drejtën tuaj themelore, në këtë ditë kur politika hesht dhe populli flet.

Ndiqni shembullin e atyre, që deri tani e bënë detyrën e tyre. Mos harroni se sa më shumë të merrni pjesë në zgjedhje, aq më shumë politika i merr parasysh hallet tuaja. Votoni”, tha zëdhënësja e PS.

41.24 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16:00, në rang vendi

Ora 17:00 Deri në orën 16:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 41.24% në rang vendi. Janë 1967 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 47.8 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

PD tjetër thirrje shqiptarëve: Mos e humbni këtë mundësi. Mos u dorëzoni. Shkoni dhe votoni tani

ORA 16:35 Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD ka apeluar sërish qytetarët të marrin pjesë në votime.
“Mos e humbni këtë mundësi. Mos u dorëzoni. Shkoni dhe votoni tani, mos prisni për momentin e fundit. Shkoni dhe votoni tani, mos prisni per momentin e fundit.

Ky eshte momenti juaj. Ky eshte momenti yne. Mos e humbasim kete moment. Dilni, dhe votoni!” apeloi Garo.

Incident në një qendër votimi në Maliq, burrë e grua dhunohen me karrige nga një vëzhgues i PD

ORA 16:00 Një tjetër incident është shënuar sot në një qendër votimi. Bëhet fjalë për një rast në fshatin Vashmi, në Maliq.

Burrë e grua janë goditur me karrige. Një vëzhgues i PD-së ka goditur ciftin, simpatizantë të PS.

Ngjarja ka ndodhur në korridorin e qendrës së votimit. Çifti ka pësuar disa lëndime në trup. Në bashkinë e Maliqit pjesëmarrja e votuesve ka qenë e lartë, rreth 31.7%.

40.86 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00 në rang vendi

Ora 16:30 Deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 40.86% në rang vendi. Janë 1642 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Vlora është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 47.55 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

Të Fundit