Shqipëria e treta Europë; prodhon 5 milionë MWh energji në vit, por nevojiten 7

Sasia e energjisë elektrike që prodhon Shqipëria nuk arrin të përmbushë nevojat vendase. Megjithatë, të dhënat e vitit 2021 tregojnë se prodhimi ka qenë i mbarë, sikundër edhe sasia e energjisë që është shitur.

Shqipëria është i vendi i tretë në Evropë pas Norvegjisë dhe Islandës për sasinë e prodhimit të energjisë elektrike për konsum nga burimet e ripërtëritshme. Përmes ujit, sigurohet 92% e energjisë elektrike, megjithatë gjatë vitit ne marrim dhe japim energji me vendet e tjera, bazuar mbi çmimet e bursës së Hungarisë. Sot ka një debat të hapur për një krizë energjie që po afron tek ne, për shkaqe që vijnë nga jashtë. Por sa të ekspozuar jemi ne përballë kësaj krize dhe si menaxhohet energjia këtu?

Shqipëria konsumon çdo vit 7.5 milionë mwh energji, por me kapacitetet e sotme nuk arrin të prodhojë këtë sasi. Përjashtim bëri viti 2018, kur prodhimi u tejkalua për shkak të reshjeve të shtuara. Për të mbuluar nevojat, KESH duhet të blejë energji nga jashtë, ndërsa qeveria duhet të kërkojë burime të reja prodhimi. Gazsjellësi TAP, projekti Devoll Hydropower dhe plani për HEC-in e Skavicës pritet ta përmbushin këtë angazhim së shpejti.

Gjysma e parë e këtij viti ka qenë e mbarë për prodhimin e energjisë, i cili u rrit dyfish në krahasim me vitin e kaluar, sikundër edhe shitja në treg të jashtëm me 4 herë. Në situatën aktuale, qeveria i druhet faktit që nuk mund të sigurojë energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat në dimër, ndërsa ekspertë vendas të energjisë deklarojnë se kryeministri po flet për një krizë fiktive.

Të Fundit