‘Facebook po na shkatërron’, ish-menaxherja dëshmon në Kongres: Po dëmtohet demokracia

Facebook dëmton fëmijët, shkakton përçarje dhe dobëson demokracinë tonë. Ka qenë ky denoncimi që një ish-punonjëse e rrjetit social ka bërë përpara ligjvënësve në Kongresin Amerikan.

Denoncimi i 37-vjeçares Frances Haugen, ish-menaxhere e kthyer në informatore, erdhi në një kohë kur kompania e themeluar nga Mark Zuckerberg ndodhet nën presion për reforma.

“Emri im është Frances Haugen. Unë punoja për Facebook. U bashkova me rrjetin social pasi mendoja se kishte potencialin për të nxjerrë më të mirën prej nesh. Por sot jam këtu për të thënë se, produktet e Facebook dëmtojnë fëmijët, shkaktojnë përçarje dhe dobësojnë demokracinë tonë. Krerët e kompanisë dinë si t’i bëjnë rrjetet sociale më të sigurta, por para njerëzve kanë zgjedhur fitimet astronomike”, tha Frances Haugen, ish-menaxhere e Facebook.

Nga ana e tyre, ligjvënësit amerikanë kritikuan Facebook dhe shefin e tij, Mark Zuckerberg. Ata i bënë thirrje atij të dëshmojë përpara komisionit parlamentar dhe kërkuan nga institucionet që të hetojnë kompaninë.

“Viktima janë fëmijët tanë. Adoleshentët sot shihen në pasqyrë dhe ndiejnë dyshime dhe pasiguri. Mark Zuckerberg duhet ta kishte parë veten në pasqyrë sot, por në vend që të merrte përsipër përgjegjësitë, ai doli për të lundruar”, tha Richard Blumenthal, senator, Shtetet e Bashkuara.

Dëshmia erdhi një ditë pasi Facebook dhe rrjetet e tjera në vartësi të tij, përfshirë Instagramin, pësuan një ndërprerje të funksionimit. Nga ana e tij, rrjeti social reagoi duke thënë se ish-menaxherja Haugen nuk kishte dijeni për sektorët për të cilët fliste.

Të Fundit