SHBA licencon përdorimin e vaksinës anti-COVID të Pfizer-BioNTech

Autoritetet e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dritë jeshile përdorimit të vaksinës anti-Covid të zhvilluar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech për rastet emergjente.

Agjencia amerikane e Barnave dhe Ushqimeve i dha dy kompanive licencën të premten pasi një panel ekspertësh të qeverisë dolën në përfundimin se vaksina është e sigurt dhe e efektshme.

Presidenti amerikan në detyrë Donald Trump, përmes një video-postimi në Twitter e cilësoi lajmin “një mrekulli mjekësore” dhe një prej “arritjeve më të mëdha në histori”. Trump shtoi se vaksina e parë do të qaset brenda 24 orëve.

SHBA nënshkroi marrëveshje me dy kompanitë Pfizer dhe BioNTech për të blerë 100 milionë doza të vaksinës me një klauzolë që parashikon blerjen edhe të 500 milionë të tjerave shtesë.

Vaksina kërkon injektimin e dy dozave për person, të cilat jepen me një interval disa javor mes tyre.

Me mbi 15 milionë të prekur, SHBA është shteti me më shumë raste me COVID-19 në botë. Ata kanë dhe numrin më të lartë të viktimave mbi 295 mijë të vdekur.

Ndërkohë në përgjithësi, shifrat e të prekurve në botë kanë kapërcyer 71 milionë të infektuarit, ndërsa rastet e vdekjeve po i afrohen 1.6 milionët.

Britania e Madhe u bë pak ditë më parë shteti i parë në botë që autorizonte dy kompanitë Pfizer-BioNTech për të nisur vaksinimin e grup-moshave të rrezikuara.

Agjencia Evropiane e Mjekësisë është aktualisht duke rishikuar sigurinë dhe efektshmërinë e vaksinës dhe pritet të japë vendim brenda datës 29 dhjetor.

Pfizer dhe BioNTech ishin kompanitë e para që raportuan zhvillimin me rezultate të kënaqshme të vaksinës anti-COVID-19 pas fazës së tretë të testimit. Ata raportuan një efektshmëri prej 95% të pacientëve të testuar në përgjithësi dhe 94% për moshat e rritura dhe mbi 65 vjeç.

Vaksina, si ajo e kompanisë Moderna, përdorin kodet e acidit ribonukleik (ARN) të molekulave për të udhëzuar rruazat e bardha që prodhojnë proteinat anti-virus.

Kjo mënyrë nuk e shkakton sëmundjen e COVID-19, por nxit sistemin imunitar të prodhojë anti-trupa kundër virusit.

 

Të Fundit