“Like rrëmbe sëpatën, shko priji duart atij të LSI që blinte vota”, Rama-Metës: Tani rri aty ku je e mos dil më

Nga qyteti i Durrësit, ku po zhvillon takimin e fundit të fushatës elektorale të 25 prillit, kryeministri Edi Rama ironizoi Presidentin Ilir Meta, pas videos së publikuar sot në media, ku kandidati i LSI, Etjon Joka, shfaqej duke blerë vota.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua Metës, duke i thënë që tani duhet të rrëmbejë sëpatën e të shkojë t’i presë duart kandidatit të LSI, duke marrë shkasë nga deklaratat e Presidentit se “kush prek votën më 25 prill, do t’i pritet dora”.

“Po sot një deputet i Ilirit u kap duke vjedhur vota. Unë thashë tashi ti Like rrëmbe sëpatë, shko priti duart, mirëpo Likja nuk doli. Jo vetëm nuk doli, por lëshoi një postim “votoni, do jetë ditë feste, mos kini merak, ju vetëm votoni për demokracinë, vëllazërinë”. O Like, Like, ta kisha thënë o lëre rakinë, o do të ta nxjerrin me zor, dhe është më keq kur ta nxjerrin me zor, se kur e lë vetë. Tani mos dil më, rri mirë aty ku je, shumë mirë e the, jam dakord me ty, ditën e diel do të jetë ditë feste, ditën e diel të gjithë këta luanët e dalë nga zgafellat e historisë do të kthehen në lepuj, që të gjithë. Armata jonë e zemrave, mendjeve, qytetarisë, buzëqeshjeve, jo me klithma, britma, ulërima, sfurqe, sëpata, armë, por me zemër.

25 prilli është përplasja e fundit mes atyre që në historinë tonë kanë përfaqësuar një mallkim, që Shqipëria s’bëhet, që shqiptarët të shohin çfarë të kapin aty për aty, sepse këta janë vetëm ai mallkim që njëherë merr pamjen, emrin, zërin e Haxhi Qamilit, njëherë merr pamjet, emrin e zërin e Rrapush Xhaferrit, Sudes, Vehbiut, Saliut, pastaj merr pamjen e Lulit”, tha Rama.

 

Të Fundit