Fauci: Vaksina do përsëritet çdo vit, Covid nuk mund të eliminohet

“Unë nuk mendoj se Covid mund të eliminohet. Ne mund ta kontrollojmë atë. Do të duhet të vazhdojmë vaksinat përforcuese çdo vit ose çdo vit e gjysmë. Por ne mund ta ndalojmë këtë pandemi, ne mund të zvogëlojmë infeksionet në mënyrë që ajo të mos jetë më një kërcënim publik”.

Kështu deklaroi imunologu amerikan Anthony Fauci, intervistuar nga Fabio Fazio në ‘Che tempo che fa’. Fauci kujtoi se vetëm një agjent patogjeni deri më tani është çrrënjosur, ai i lisë. “Vaksina Covid që do të merret në pilula nuk është ende një realitet, por ne po punojmë për të së bashku me Pfizer. Në SH.B.A. jemi duke vaksinuar adoleshentë të moshës 12 vjeç e lart me Pfizer, dhe besoj se drita jeshile për vaksinat nga kjo moshë do të jepet shumë shpejt në Itali dhe gjetkë, sepse të dhënat që kemi janë shumë të sigurta”, u shpreh ai.

Fauci shtoi se në çdo rast “ne duhet të shmangim shpalljen e një fitoreje të parakohshme” mbi pandeminë.

“Ne ende nuk e kemi fituar këtë betejë. Por ndryshe nga viti i kaluar – shtoi ai – tani kemi vaksina. Nëse shumica e popullsisë vaksinohet, ne do të jemi në gjendje të zvogëlojmë masat e sigurisë”.

Kur u pyet nëse ai sheh një rifillim të papritur të pandemisë që do të detyrojë mbyllje të reja, Fauci u përgjigj: “Ekziston gjithmonë kjo mundësi nëse bëjmë gjërat që nuk duhet të bëjmë. Kur shumica dërrmuese e popullsisë të vaksinohet, ne do të bëjmë por duhet të hedhim hapa të vegjël, nuk është diçka që mund të fiket si çelësi i dritës”

Të Fundit