Dita e Ashures/ Baba Mondi uron besimtarët: Të hapim zemrat në këto kohë të vështira

Besimtarët bektashinj në të gjithë bendin kremtojnë sot Ditën e Ashures.

Në Ditën e Ashurës, ka ardhur dhe ceremonia e parë nga selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, nga Kryegjyshi, Baba Mondi, i cili ka bërë thirrje që, “të hapim zemrat në këto kohë të vështira”.

Festa të tilla, theksoi Baba Mondi, bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit. Sipas tij është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur.

“Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane”, vijoi Baba Mondi.

Thirrja e vazhdueshme e Baba Mondit kishte të bënte se përballë sfidave dhe mundimeve, ka një dritë shprese që rilind e duhet të lulëzojë në zemrat e të gjithëve.

“Pas dhjetë ditëve të sakrificës për të rënët e Qerbelasë, një filiz i ri çel, dhe lind një shpresë e re për të gjithë ne. Ta duam e respektojmë njëri-tjetrin, familjen, shoqërinë dhe mbi çdo gjë vendin ku ne jetojmë”, e mbylli Baba Mondi ceremoninë e urimit.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka ururar sot besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Ashures.

Këtë Ditë të shënuar, Ruçi e cilësoi si një kumt miqësie, solidariteti dhe paqeje.

“Dita e Ashures është një ndër ditët që shënojnë shfaqjen e virtyteve më të mira të bektashinjve; është një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve’, thuhej në urimin e Ruçit.

Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundër qëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit!”, mbyll urimin Kryetari i Kuvendit.

Dita e Ashures” e cila përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit dhe e cila sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

Të Fundit