Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e Barabit dhe Llubanit, në Bashkinë Krujë, për shkak të rrezikut nga zjarri. ” Në kuadër të situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës së Barabit, Lluban, në Bashkinë Krujë”, njofton bashkia e Krujës.
Operacioni po koordinohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Prefektura e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, me mbështetjen e zjarrfikësve, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e forcave në terren dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencës.
Njoftimi i bashkisë së Krujës:
URDHËR EVAKUIMI – BASHKIA KRUJË
Në kuadër të situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës së Barabit, Lluban, në Bashkinë Krujë.
Procesi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, me mbështetjen e MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
⚠️ Lutemi, me prioritet fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. 📍 Banorët e zonës duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave”.
“Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ishte pasdite në Krujë bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Në një reagim për situatën, ministri Lamallari thotë se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut dhe se Policia e Shtetit tashmë ka arrestuar autorin e dyshuar.
“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale”, shkruan ministri Lamallari. Në reagimin e tij, ministri thekson se autori do të përballet me pasojat ligjore për veprën penale, ndërsa strukturat policore vijojnë të jenë të angazhuara në terren për garantimin e sigurisë së banorëve.
“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, shprehet Lamallari.
Sipas ministrit, pas kërkesës së pushtetit vendor, Policia e Shtetit ka marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.
“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaron ministri i Brendshëm.
Operacioni në Krujë po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit, me angazhimin e forcave tokësore dhe mbështetjen nga ajri. Strukturat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.



