Zjarri detyron evakuimin përmes detit në Greqi, probleme edhe në Evropë

Një mur zjarri i gjatë 3 kilometra dhe 30 metra i lartë detyroi disa qindra turistë në veri të Greqisë të hynin në det, teksa flakët shkrumbuan sipërfaqe të tëra edhe në Kroaci, Francë dhe Britani, të nxitura nga vala e të nxehtit ekstrem.

Mbi 200 zjarrfikës, avionë ujëhedhës dhe helikopterë u angazhuan për 4 orë për të ndalur zjarrin që po përhapej në gadishullin e Halkidikisë, në jug të Selanikut, e që vërshoi drejt resorteve të lokaliteteve Siviri dhe Fourka, të mbushura me turistë.

Pasi e konsideruan evakuimin në rrugë tokësore si shumë të rrezikshëm, autoritetet transportuan rreth 500 turistë me varka të vogla dhe mjete të rojes bregdetare, ndërkohë që ata që po tentonin të largoheshin me automjete u bllokuan në mes të rrugës.

Dy zjarrfikës u shtruan në spital dhe autoritetet ndaluan aksesin e publikut në zonat pyjore me pisha, pasi meteorologët paralajmëruan erëra të forta me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

Zjarri më vonë u vu nën kontroll, edhe pse skuadrat e emergjencave qëndruan në gatishmëri nga frika e riaktivizimit të vatrave.

Ndërkohë, mbi 150 zjarrfikës luftuan me flakët që u zhvendosën me shpejtësi nga një pyll me pisha në qytetin turistik Lokva Rogoznica të Kroacisë, duke shkrumbuar shtëpi dhe makina.

Të paktën 1 mijë banorë të zhvendosur u strehuan në një pallat sporti në qytetin e afërt të Omišit, ndërsa një rrugë që të çonte në bregdet u mbyll për arsye sigurie, duke shkaktuar radhë të mëdha.

Ndërsa në Francë, autoritetet dhanë ditën e premte alarmin maksimal për 4 rajone, duke paralajmëruar se kushtet e motit kanë rritur rrezikun e rënies dhe përhapjes së zjarreve.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një zjarr me pika të ndryshme origjine shkrumboi shtëpitë në afërsi të lokalitetit Stourbridge, rreth 9 kilometra larg Birmingamit, në atë që u konsiderua dita më e nxehtë e vitit.

Flakët përfshinë gjithashtu 6 prona private dhe detyruan shumë banorë të evakuoheshin.

Thuajse tre të katërtat e Anglisë ndodhen në thatësirë dhe kryeministri Andy Burnham u ka bërë thirrje shitësve që të kufizojnë shitjen e pajisjeve për barbekju.

Të Fundit