Zjarrfikësit e Cërrikut përfundojnë ndërhyrjen në Krujë, pas disa ditësh angazhim në terren

Efektivët e MZSH Cërrik kanë përfunduar angazhimin disaditor në operacionin për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në zonën e Krujës.

Ekipi zjarrfikës është rikthyer në Cërrik pas përfundimit të ndërhyrjes, gjatë së cilës ka vepruar në terren në koordinim me strukturat e tjera të emergjencave. Operacioni është zhvilluar në kushte të vështira, për shkak të temperaturave të larta, terrenit të thyer dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.

Gjatë ndërhyrjes, ekipet janë angazhuar për kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e banesave, zonave të gjelbra dhe pronës.

Mobilizimi i MZSH Cërrik në Krujë është pjesë e angazhimit të strukturave zjarrfikëse nga bashki të ndryshme të vendit, në një periudhë kur temperaturat e larta kanë rritur rrezikun për përhapjen e zjarreve.

Kryetari i Bashkisë Cërrik, Florenc Doka, ka shprehur mirënjohjen për efektivët e angazhuar në operacion, ndërsa drejtuesi i MZSH Cërrik, Klevis Muça, ka drejtuar ekipin gjatë ndërhyrjes në terren.

Të Fundit