Zjarr në pyllin me pisha rrëzë Tomorit, dhjetëra ha pyll e shkurre të shkrumbuara

Një zjarr është përhapur me shpejtësi pas mesditës së sotme në pyllin me pisha të egra si dhe shkurre e bimë të ndryshme medicinale, në rrëzë të malit të Tomorit, në ish-komunën e Rroshnikut.

Kanë qenë banorët e zonës, ata që pasi kanë parë flakët dhe kanë njoftuar Repartin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të cilët janë nisur me shpejtësi drejt zonës ku është shfaqur zjarri.

Vendi ku është shfaqur zjarri është 2 orë larg nga rruga ku mund të kalojnë mjetet dhe terreni është shumë i vështirë. Kjo ka bërë që zjarrfikësit të detyrohen të ecin në këmbë dhe të luftojnë me flakët vetëm me mjete rrethanore dhe me pompat e shpinës.

Zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke shkrumbuar dhjetëra ha dru pishe të egra si dhe sipërfaqe me shkure apo kullota. Edhe në këto momente po vijon puna për vënien nën kontroll të zjarrit, por era e fortë dhe terreni i vështirë janë duke favorizuar flakët e zjarrit që duket se po përparojnë përgjatë zonës së Tomorrit.

Të Fundit