Gjuha e urrejtjes lejohet nëse u drejtohet rusëve, Facebook ndryshon rregullat

Meta lejon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë. Mund të duket e pabesueshme për shkak të politikave që ka ndjekur deri tani, por gjiganti i mediave sociale ka lejuar përkohësisht gjuhën e urrejtjes në disa postime në Facebook dhe Instagram. Megjithatë, ka një kleçkë: kjo gjuhë urrejtjeje duhet të vërë në shënjestër atë që do Meta.

Gjuha e dhunës tani do të lejohet nëse u drejtohet ushtarëve rusë dhe rusëve në kontekstin e pushtimit në Ukrainë, sipas emaileve të brendshme të para nga Reuters.

Meta tani po lejon edhe postime që bëjnë thirrje vdekjeje për presidentin rus Vladimir Putin ose homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko.

Ndryshimi i përkohshëm i politikës zbatohet për Ukrainën, Rusinë, Poloninë, Letoninë, Lituaninë, Estoninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë.

“Këto janë masa të përkohshme të krijuara për të ruajtur zërin dhe lirinë e shprehjes për njerëzit që po përballen me pushtimin”, tha Meta në një deklaratë.

“Si gjithmonë, ne po ndalojmë thirrjet për dhunë kundër rusëve jashtë kontekstit të ngushtë të pushtimit aktual”.

Sipas materialeve të politikave të brendshme të siguruara nga The Intercept, Meta tani do të lejojë lavdërimin e Batalionit Azov, një njësi ushtarake neo-naziste ukrainase.

Ky hap ka gjeneruar një debat që është i destinuar të rritet.

Lëvizjet kanë shtuar dyshimet se Meta vendos rregullat në vazhdimësi dhe ndjek objektivat e politikës së jashtme të qeverisë amerikane.

Kompania mban një listë të zezë sekre të “Individëve dhe organizatave të rrezikshme” që kritikët thonë se ndëshkon disa komunitete.

Një riprodhim i materialit të publikuar nga The Intercept tetorin e kaluar zbuloi se pothuajse të gjithë në listë konsiderohen armiq ose kërcënim nga SHBA ose aleatët e saj.

Pranimi i thirrjeve për dhunë kundër rusëve është gjithashtu një veprim i rrezikshëm për një kompani që është fajësuar për nxitjen e gjenocidit.

Përjashtimet e përkohshme kanë ndezur zemërim në Rusi.

Si përgjigje, rregullatorët rusë kanë kufizuar aksesin në Instagram, ndërsa prokurorët në vend po shqyrtojnë mundësinë e futjes së Metës në listën e “organizatave ekstremiste”.

Rusia kishte bllokuar më parë aksesin në Facebook si hakmarrje për kufizimet në mediat shtetërore.

Të Fundit