Zgjerimi i rrugës së Ndroqit, Balluku: Faza e parë mund të përfundojë brenda këtij viti, para afatit

Punimet për rehabilitimin e 5 kilometrave të parë të rrugës së Ndroqit do të përfundojnë para afatit.

“Afati i dorëzimit është 16 maj 2026, synimi jonë është që të mbarojmë para natës së vitit të ri këtë fazë të parë. Më pas hapen fazat e tjera. 28 km është rruga, në fazën e parë kemi 5 km. Këtu ndodhemi në pjesën e fundit të fazës së parë edhe është 1.6 km të përfunduara, pjesa më e vështirë ka qenë pjesa e infrastrukturës nëntokësore”, bëri me dije ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Pas përfundimit të punimeve, në këtë aks do të lëvizet me shpejtësi deri në 100 km/orë, ndërsa ndërhyrja infrastrukturore pritet që veç shfryrjes së trafikut, t’i japë edhe zhvillim zonës.

“Nga një rrugë rurale shkon në një rrugë të kategorisë C, do të lëvizet me shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë. Ura e Beshirit do të ndërtohet totalisht e re”, tha Balluku.

“Është një aks shumë i rëndësishëm, kanë lindur shumë agroturizme. Është një zonë që do të zhvillohet”, tha kryeministri Rama.

Faza e parë e rehabilitimit përfshin segmentin nga dalja e Kombinatit deri në Pezë-Helmës, ndërkohë që qarkullimi i mjeteve në rrugë vazhdon, duke respektuar punimet.

Të Fundit