Zelensky “blindon” Tiranën! Nga takimi me Ramën, te marrëveshjet që firmosen sot

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) ka zbritur në tokën shqiptare mbrëmjen e së martës (27 shkurt). Në vizitën e parë të presidentit ukrainas në Tiranë, në një kohë kur vendi i tij luftohet nga Rusia, Presidenti do të marrë pjesë në Samitin që mbahet këtë të mërkurë(28 shkurt) në fokus të të cilit është lufta dhe mbështetja për Kievin.

Zelenski u prit në aeroportin e Rinasit nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani i cili e konsideroi vizitën e preisdentit ukrainas, si një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të qëndruar në solidaritet me Ukrainën në luftën e sja heroike kundër agresionit rus.

“I nderuar për të pritur në Tiranë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Ky është një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të qëndruar në solidaritet me Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit rus”, shkruan Hasani në rrjetin social Facebook.

Takimet

Sakaq, ditën e sotme do të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, ku Zelenski është bashkëorganizator së bashku me Kryeministrin Edi Rama.

Por para nisjes së punimeve të samitit, sipas axhendës zyrtare, në orën 09:00 presidenti Zelenski do të mikpritet nga Rama në Kryeministri  për të vijuar më pas me takimin “kokë më kokë”.

Më pas në orën 09:30 do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve, e në orën 10:10 do të firmoset marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Në orën 11:00 mbërrijnë liderët e 10 vendeve të Europës në Pallatin e Kongreseve dhe në orën 11:30 kryeministri Rama dhe Presidenti ukrainas, Zelenski do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit të “Ukrainë – Europa Juglindore”.

Ndërkaq, në orën 13.30 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Masat

Për sigurimin e mbarëvajtjes së Samitit dy ditor, ku të pranishëm do jenë edhe liderët e 10 vendeve të Europës, Policia e Shtetit ka njoftuar marrjen e një sërë masash, ku në një numë të konsiderueshëm rrugësh në kryeqytet nuk do të lejohet qarkullimi dhe qëndrimi i automjeteve.

Më datë 28, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit.

Po ashtu, me datë 28 do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”.

Të Fundit