Zejtaria në zhdukje/Faktorët kryesorë pandemia dhe mungesa e mbështetjes financiare

Pandemia ka gjunjëzuar një prej vendeve më të gjallëruara të Shkupit që është simbol i tregtimit të punimeve të zejtarëve.

Në Çarshinë e Shkupit, më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë, thuajse çdo dyqan ka kyçur portën dhe zejtarët janë gati ta mbyllin biznesin.

Në udhëkryq gjendet edhe zejtari Ali Halili i cili ushtron profesionin e jorganxhiut, sipas modeleve tradicionale. Zejtarinë ku ushtron çdo ditë profesionin e tij e ka trashëguar nga familja së bashku me zanatin, por pandemia e ka gjunjëzuar biznesin e tij.

“Besoni ose jo, çdo muaj kam menduar, por kemi prodhime të gatshme të cilave nuk dimë çfarë t’iu bëjmë,” – u shpreh Halili.

“Prej qeverisë, nuk kemi pasur asnjë ndihmesë nga shteti për neve si zejtarë unikat, të dalluar që jemi, sepse në Maqedoninë e Veriut vërtetë ka zeje unikate si e imja. Unë jam jorganxhiu i vetëm në Maqedoninë Veriore. Ndoshta edhe mua më takon një rrogë minimale por s’kemi pasur deri tani dhe është për keqardhje,” – shtoi ai.

Nga 2500 zejtarë në qytetin e Shkupit, më shumë se 50 tashmë e kanë lënë profesionin dhe kanë mbyllur dyqanet, ndërsa të tjerët po luftojnë për mbijetesë.

Sipas Odës së Zejtarëve kjo është shifër relativisht e vogël, por në realitet zejtarët çdo ditë po përballen me rrezikun e mbylljes së biznesit.

“Dy ditë më parë kemi bërë aplikimin për financimin e zejtarëve, pasi pakot ekonomike të shpërndara nga shteti nuk e prekën këtë kategori që në fillim. Kemi kërkuar përfshirjen e tyre në pakon e gjashtë ekonomike dhe më pas vaksinimit e këtij grupi me qëllim që t’i rikthehen punës normalisht,” – u shpreh Aneta Atanasovska, kryetare e Odës së Zejtarëve.

Një tjetër problem për zejtarinë është edhe mungesa e të rinjve që duan të trashëgojnë profesionin, arsye që shtyn zejtarët e vjetër të mbyllin dyqanet në pazarin e Shkupit. Ata fajësojnë qeverinë se nuk i ka përkrahur në këto të vështira të pandemisë.

 

Të Fundit