Zbulimi i naftës/ Rama: Pasuri e çdo shqiptari, do impaktojë arsimin e shëndetësinë

Kryeministri Rama tha në një deklaratë për mediat se zbulimi i naftës në Shpirag do të impaktojë në jetën e të gjithëve.

Ai tha se nëse do ndërtohet një fond sovran e serioz për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit ekonomik të vendit, këto pasuri nëntokësore do të ndikojnë në të gjithë shoqërinë. Ai tha se do të sjellë ndikim në pensione, bilancin e pagesave, sistemin e arsimit, të shëndetësisë dhe mirëqenien e fëmijëve

“Për fat të keq për shkak të keqadministrimit, keqqeverisjes dhe abuzimit të madh me burimet tona natyrore, fjala naftë në mendjen e qytetarëve shqiptarë, është bërë sinonim i fjalës vjedhje. Nga një anë ne nuk kemi pasur deri më tani ndonjë pasuri të jashtëzakonshme në dispozicion. Burimet e shfrytëzuara ndër vite kanë qenë burime modeste, të keqpërdorura.

Koncesionet e bëra në të shkuarën kanë qenë skandaloze, kanë qenë dorëzim total tek koncesionarë lloj-lloj. Kjo pasuri është keqshfrytëzuar. Për këto kërkime në këtë territor të fushës së burimeve tona natyrore ne kemi bërë ndryshim të qasjes së shtetit në këto kontrata dhe kemi vendosur marrëdhënie kontraktuale me kompani si Shell apo si Eni të një nivëeli ndërkombëtar.

Çdo shqiptar duhet të jetë i bindur se kjo pasuri e madhe është e tija. Përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do impaktojë pensionet, bilancin e pagesave, sistemin e arsimit, të shëndetësisë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë, nëse ne do dimë të ndërtojmë si duhet një fond sovran e serioz për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit ekonomik të vendit”,-tha Rama.

Të Fundit