Yuri Kim: Ka përpjekje për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se është në dijeni të disa përpjekjeve për të joshur apo frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, në mënyrë që të mos ketë ndëshkime për më të fuqishmit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kim u shpreh se tanimë është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor.

Sipas saj, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet.

Ndër të tjera, Kim tha Shqipëria duhet të ecë përpara dhe nënvizoi se SHBA mbështet Reformën në Drejtësi.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për t’i tërhequr në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet.

Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. Po i kushtojmë vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi”, shkroi diplomatja në Twitter.

Të Fundit