Vuçiç jep dorëheqjen si president i Serbisë: Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë

Aleksandër Vuçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë, pas më shumë se nëntë vitesh në krye të shtetit. Në fjalimin e tij të fundit nga Presidenca, Vuçiç tha se “ka ardhur ora e vendimit” dhe falënderoi qytetarët për besimin e dhënë në dy zgjedhjet presidenciale, në vitet 2017 dhe 2022.

Vuçiç deklaroi se Serbia po hyn në një “kapitull të ri”, ndërsa gjatë fjalimit bëri një bilanc të viteve të tij në pushtet, duke u ndalur te zhvillimi ekonomik, punësimi dhe ruajtja, sipas tij, e paqes dhe stabilitetit gjatë krizave të viteve të fundit.

Por një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi edhe Kosovës, duke përcaktuar si një nga detyrat e së ardhmes vazhdimin e mbështetjes për serbët atje.

“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, sepse kështu, sipas tyre, nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Prandaj, të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj. Qytetarët le të mendojnë vetë”, tha Vuçiç.

Në vijim, Vuçiç foli për drejtimin që, sipas tij, duhet të ndjekë Serbia, duke përmendur vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët tradicionalë në Lindje.

“Serbia, duke vazhduar rrugën e saj evropiane dhe duke u kujdesur për miqtë e saj tradicionalë në Lindje, do të duhet të zhvillohet ekonomikisht edhe më shpejt”, tha ai.

Në fund të fjalimit, Vuçiç njoftoi edhe faljen dhe amnistimin e 49 personave, 23 prej të cilëve, sipas tij, lidhen me ngjarjet e një viti e gjysmë të fundit në Serbi.

Dorëheqja e Vuçiçit vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Ai ka njoftuar se do të marrë pjesë në fushatë si qytetar dhe është kandiduar nga Partia Progresive Serbe për postin e kryeministrit.

Pas dorëheqjes, detyrat e presidentit të Serbisë do të ushtrohen përkohësisht nga kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Të Fundit