Vuçiç i prerë: Derisa të jem unë president, Serbia nuk do ta njohë Kosovën

Serbia nuk do të njohë Kosovën derisa Aleksandar Vuçiç të mbajë postin e presidentit.

Kështu ka deklaruar vetë kreu i shtetit në një intervistë për televizionin serb TV Prva.

“Derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi në vitin 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës. Më pas është populli që do të vendosë,” është shprehur Vuçiç.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur dyshimet se mund të ketë edhe një referendum për këtë çështje.

Sipas presidentit serb, asnjë shtet i perëndimit nuk beson se Kosova është e pavarur.

“Opinioni i Uashingtonit, pavarësisht se kush është në pushtet, nuk do të ndryshojë, megjithëse marrëdhënia ishte disi e ndryshme (gjatë administratës së Donald Trump)”, tha Vuçiç.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 4 shtator, në Uashington dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në marsin e vitit të ardhshëm, bëhen 10 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për t’u zhvilluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.

Bashkimi Evropian synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve. Kosova insiston se në këtë dokument duhet të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë, ndërsa Serbia kundërshton.

Të Fundit